'La Boheme' në Pallatin e Kongreseve bën për vete publikun

17 Mars 2019, 15:32

Opera “La boheme” e Giacomo Puçinit çeli sezonin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Ngjarjet që zhvillohen në shekullin e XIX në Paris kanë në qendër katër shokë, që jetojnë në një papafingo së bashku.

Dy protagonistët e mbrëmjes së parë të “La boheme” ishin sopranoja Eva Golemi, si rrobaqepësja Mimi dhe tenori i ri, Denis Skura, si poeti Rodolfo.

Poeti Rodolfo është duke shkruar, kur ndërpritet nga Mimi, fqinja rrobaqepëse. Këtu zë fill historia e dashurisë së dy protagonistëve.

Nën regjinë e Ada Gurrës, historia e artistëve të rinj në Parisin e vitit 1830, shoqërohet nga entuziazmi, pafundësia, liria e të rinjve, që përplasen me realitetin e papërpunuar të vështirësive ditore, përmes tregimeve të Rodolfos, Mimìt, Marcellos dhe Musetta-s.

Opera,  gjatë katër akteve, e plotësuar edhe nga skenografia e realizuar nga Renold Sula, dërgon lehtësisht publikun tek gëzimi plot poetizëm, e pasandaj tek dhimbja, që shoqërohet me melankoli.

Realizmi dramatik i veprës u plotësua edhe nga kostumografia e realizuar nga Ardi Asllanit, edhe nga muzika e luajtur nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe nën dirigjimin  e Lorenzo Tazzieri.

Pjesët korale erdhën ëmbël nga fëmijët e shkollave të  ndryshme, të përgatitur enkas për këtë premierë. Ndërsa, mjeshtrit e Cirkut sollën disa numra gjatë operës. 

“La Bohème” do të vazhdojë, që të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve edhe në datat, 17, 18 dhe 19.