Lepuri shitet për 91.1 milionë dollarë

21 Maj 2019, 12:40

Lepuri në material inoksi i Jeff Koons është shitur për 91,1 milion dollarë. Skulptura e realizuar në vitin 1986, ka zhgënjyer gjithë pritshmëritë duke i tejkaluar ato duke u bërë vepra e shitur më shtrenjtë e një artisti ende në jetë, duke tejkaluar shumën 90.3 milion dollarë të pikturës "Portreti i një artisti" të David Hockney.

Ankandi për lepurin në material inoksi nisi me shumën 50 milion dollarë dhe në përfundim ai u bë pronë e galeristit Robert Mnuchin, babai i ministrit të Thesarit të SHBA, i cili e bleu për shumën 91,1 milion dollarë.

I adhuruar nga yjet e artit dhe klasa e lartë amerikane, Jeef Koons konsiderohet trashëgimtari i amerikanit Andy Warhol, piktor, skulptor, skenarist, producent filmi, regjisor dhe aktor, figurë mbizotëruese e lëvizjes Pop art dhe një nga artistët më me ndikim të shekullit të 20-të.

Një tjetër vepër e Jeef Koons është "Balloon Dog", një skulpturë qeni, tre metra e lartë dhe gati katër e gjatë, e cila duket si një tullumbace portokalli por në fakt është prej çeliku, e cila është shitur për 58.4 milion dollarë në ankandin e Christie në vitin 2013 në New York.

Performancat e jashtëzakonshme të Koons janë pjesë e bumit në tregun global të artit. Sipas tij, ai kërkon që përmes artit të tij: “Të mbajë të lidhur njerëzit me monumentet, jo të ftohtë por festiv, që gjenerojnë gjallëri dhe janë simbol i optimizmit, fal materializmit dhe monumentalizmit të tyre”.