Libri “Ndërkombëtarët” në italisht, ish ambasadori: Shqipëria ka keqkuptime të gabuara nga të huajt

20 Janar 2019, 14:45

“Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” e Ylljet Aliçka e cilësuar si një dëshmi nga një letërsi e madhe, tepër argëtuese edhe njëkohësisht shpirtërore botohet edhe në gjuhën italiane. Libri që blasfemon arrogancën elitare të një pjese të opinionit ndërkombëtar, transmeton frymën kritike ndaj kulturës së nënshtrimit, duke qenë aktuale ende dhe sot, 13 vite nga botimi i parë. Për kamerën e “Report Tv”, shkrimtari dhe ish-ambasadori, Ylljet Aliçka, rrëfen arsyet se përse tematika e trajtuar prej tij në këtë libër, ka interes për botuesit e huaj

Zoti Aliçka, 13 vite nga botimi i parë i librit “Ndërkombëtarët” në shqip. E keni botuar gjatë këtyre viteve edhe në anglisht, frëngjisht, edhe në italisht kësaj here. Por,  përse e zgjedhin botuesit e huaj këtë libër?

Se është libër i mirë (qesh). Por, mesa duket tematika e tij nuk është vetëm shqiptare që u intereson. Raporti i çdo vendi me institucionet e huaja ndërkombëtare, problematikat që lindin, ballafaqimet dhe sfidat i interesojnë çdo vendi. Por, ka edhe motive të ndryshme, për shembull në Novergji e morën, si roman, në Itali i intrigon tematika, më shumë sesa si  aspekt eseistik. Përpos që i vënë edhe një farë theksi, në mënyrën e të shkruarit, që më shumë sesa letrare, ka ironi.