Liroi militantët e PD-së për sulmin ndaj KZAZ, ja vila e gjyqtarit në oborrin e Prokurorisë së Matit

23 Qershor 2019, 17:40

Ndonëse 10 militantët e PD kryen krim zgjedhor duke sulmuar dhe shkatërruar materialet zgjedhore në KZAZ-në 17 në Burrel, sërish gjykata vendosi të lërë të lirë 8 prej tyre. Vendimi u dha nga gjyqtari Murat Lleshi, i njohur për shërbimin e tij ndaj PD.

Lleshi nuk është i panjohur për publikun, pasi ka një sërë shkeljesh dhe denoncimesh nga qytetarët ndaj tij. Madje në Mat për të është krijuar edhe një shprehje ironike, e thënë nga banorët e zonës "Or Murat, or Murat, Bëj një gjyq e shto një kat...Bëhet fjalë për banesën e tij, e cila është në oborrin e Prokurorisë së Matit.

Në të njëjtin oborr, brenda të njëjtit rrethim me kangjella hekuri, ndodhet ndërtesa e Prokurorisë së Matit. Siç shihet në këto pamje të Report TV, ngjitur me godinën e organit të akuzës, shihet qartë vila dy katëshe, me papafingo pronë e gjyqtarit Murat Lleshi.

Nëse nuk e di historinë mendon se vila luksoze është pjesë ose aneks i Prokurorisë së Matit, por nëse pyet ish-drejtuesit e kësaj prokurorie dhe banorët mëson se ajo është vila e gjyqtarit Murat LLeshi.  Si gjithmonë, gjyqtari i ka kopsitur dokumentet dhe ka siguruar edhe leje të vjetër ndërtimi. Askush nuk e kupton si mund të jetë miratuar një leje ndërtimi për banesë dykatëshe brenda oborrit të prokurorisë.