Llalla, 'peshku' i parë në rrjetën e SPAK, kreu i KLP: Do të vijojnë hetimet për pastrim parash

21 Korrik 2019, 15:47

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi deklaron se në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit SPAK-u do të jetë gati për të nisur punën me dosjet e nxehta. 

Në një intervistë për DW emri i vetëm që përmendi kreu i KLP-së si objekt të punës së SPAK-ut pas ngritjes ishte ai i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Duke shpjeguar se prokuroria e Posaçme do të trashëgojë 90% të portofolit të asaj të Krimeve të Rënda, Ibrahimi sqaroi se do të vijojnë hetimet për pastrimin e parave në ngarkim të ish-kreut të akuzës, Llalla. 

"SPAK-u fillon nga shtatori apo fillimi i tetorit. Për 15 kandidatët e SPAK, KLP do të marrë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vettingun. Kur kjo të ndodhë për 7 apo 8 syresh do të shpallim krijimin e SPAK dhe fillimin e funksionimit të tij.

SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë ҫështje të fjetura" tha ai.

Llalla i vendosur në listën e zezë nga SHBA-ja u vu në hetim për pastrim parash në korrik të 2018 nga Krimet e Rënda pasi la postin e Kryeprokurorit, ndërsa prej më shumë se një viti ende nuk është arritur një rezultat, hetimet ndaj tij u shtynë pak javë më parë deri në muajin shtator, kur pritet të ngrihet SPAK-u (lexo këtu).

Ibrahimi shpjegon edhe arsyet se përse SPAK-u do të jetë një strukturë efektive që do të japë rezultat menjëherë. "Ka tri "karta” të reja dhe të rëndësishme në dorë, pavarësinë e prokurorëve, kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore dhe prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK do të jetë të monitoruar" tha ai.