Lleshaj i kthehet Murrizit: Mos bëj politikë me policinë, e ke të vështirë të trashësh zërin me mua

29 Tetor 2020, 11:46 | Përditesimi i fundit: 2020-10-29 11:49:02

eputeti Myslim Murrizi dhe ministri i Brendshëm Sandër Llesha kanë pasur një përplasje në Kuvend. Ministri i është përgjigjur ashpër duke i dhënë ultimatum të mos e përdorë policinë për politikë.

"Nuk dua të jem ngjashëm me ty. Unë nuk krahasohem me askënd, deputetët nuk janë qëllim i policisë por nëse do të shkelin ligjin... Nëse ti do të bësh politikë dhe të bësh politikë me policinë harroje se do ta bësh.

Polic ke qenë dhe ke mbetur akoma dhe mos kujto se mund të fitosh pikë përballë policisë. Je polic ke qenë polic ndhe ke dështuar në polici. Harroje këtë intimidim ndaj policisë. zbato ligjin sepse përballë ligjit je askushi. Me mua e ke të vështirë të trashësh zërin", thotë ai.

Debati i plotë:

Myslym Murrizi: Tre ministra në 30 vite, z.Lleshaj, kanë tentuar të bëjnë paradë dhe show me deputetët. Dy kanë ikur si sëpata pa bisht. Njëri që kërkonte të hiqte xhamat e makinave në oborr të Kuvendit, tjetri që bënte videoklip duke gjëmuar makinën e ministres Kodheli se gjoja nuk kishte rryp shoqëruesi, dhe akti i turpshëm juaj, i Ministrisë apo i drejtorit tuaj të policisë, shoferit dhe taksistit të Balilit, ishte ndëshkimi në derë të Kuvendit dhe prurja e policisë si në kohë të monizmit, të 2-3 deputetëve për të dërdëllisur para qytetarëve që ju që nuk pyesni për deputetët nuk ju bie mendja për qytetarët. Jeni shumë të vegjël për ta bërë këtë dërdëllisje, si ti, si ai shoferi i Eskobarit.

Sandër Lleshaj: Unë krahasohem vetëm me veten time dhe nuk besoj që mund të më bëni krahasime me asnjë njeri. S’e keni as atë tagër. Duhet t’ju them që policia nuk ka asnjë objekt të merret me deputetët, por policia as nuk njeh ndonjë hierarki përballë ligjit. Përballë ligjit, besoj që deputetët janë ata të parët që duhet të japin llogari.

(Murrizi ndërhyn nga vendi)

Sandër Lleshaj: Jam ministër dhe po të them, në qoftë se ti kërkon të bësh politikë e të fitosh pikë me policinë, harrojë që mund të fitosh. As dua të jem i ngjashëm me ty. Polic ke qenë dhe polic ke mbetur. Po mos kujto se mund të fitosh pikë përballë policisë. Je polic, ke qenë polic dhe ke dështuar në policinë financiare dhe po të them që harroji këto intimide ndaj policisë. Zbatoje ligjin sepse përballë ligjit ti je askushi.