Luan Përzhita rrëfen ‘Arkeologjinë e Tiranës’. Arkeologu: Problem për turistët, infrastruktura

26 Shkurt 2021, 16:58

Studimi “Tirana arkeologjike” me autor Neritan Cekën, Skënder Muccajn dhe Luan Përzhitën sjell vlerat arkeologjike të kësaj treve me tradita dhe në fushën e antikitetit. Profesor Luan Përzhita na rrëfen se historia e shoqërisë njerëzore në zonat fushore, kodrinore e malore të Tiranës ka kaluar në disa periudha të rëndësishme, që fillon në periudhën e neolitit dhe vazhdon dhe në periudhat pasardhëse deri në ditët e sotme. Libri pasqyron epokat e ndryshme të zhvillimit në lashtësi të kësaj treve, tregon Përzhita, duke filluar me qendrat prehistorike qytetërimin ilir apo me zbulimet arkeologjike të periudhave të mëvonshme, si Mozaiku i Tiranës.

 “Tirana paraqitet ndër zonat më interesante arkeologjike që ka territori shqiptar. Kjo vjen se kërkimet arkeologjike kanë sjell disa site arkeologjike, që tregojnë se jeta në Tiranë ka nis që në periudhën neolitike, 6000-7000 vjet përpara erës sonë. Janë disa shpella, siç është e Pëllumasi, Bovilla që ka disa elementë të artit të kësaj kohe, por kemi dhe një sërë fortifikimesh që lidhen me periudhën ilire. Por, janë dhe sitet në Baldushk flasin për një kulturë që lidhet me shekujt e parë të erës sonë, në kohët që Tirana ka qenë një ndër rrugët e rëndësishme për të kaluar nga bregdeti në Ballkan etj”, thotë Përzhita