Lufta në Siri/ Ekspertët e OKB në terren, ka raportime për përdorim të armëve kimike

19 Tetor 2019, 15:59

Ndërsa mijëra civilë në veri të Sirisë po përpiqen të shpëtojnë nga konflikti, marrëveshja për armëpushim 5 ditorë është tendosur nga episode sporadike. Ka raportime për sulme ajrore dhe se artilerie turke ka vazhduar të godasë pozicionet e luftëtarëve kurdë, vendbanime civile dhe spitale.

Flitet se shumë prej të plagosurve kanë në trup shenja të përdorimit të mundshëm të fosforit të bardhë nga ushtria turke. Ekspertët kimikë të OKB tashmë ndodhen në terren për të grumbulluar informacion dhe hetuar për këtë çështje.Forcat Kurdo-Siriane gjithashtu pretendojnë se kanë rrëzuar një helikopter turk midis Raqqa dhe kufirit me Turqinë. Duke folur në Stamboll, Presidenti Erdogan kërcënoi se do të rifillojë ofensivën para afatit 5 ditorë, nëse kurdët e Njësive të Mbrojtjes Popullore, nuk do të braktisin zonën e sigurisë prej 30 kilometrash nga kufiri i Turqisë Koalicioni kurdo-sirian e ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga amerikanët dhe dakorduar nga turqit, por ende nuk ka hequr infrastrukturën ushtarake.