Lushnje/ Dyshohet për rrjedhje gazi nga një bombol, banesa përfshihet nga flakët!

19 Janar 2021, 20:30

Një banesë në katin e dytë të një pallati është shkrumbuar nga zjarri ditën e sotme në Lushnje.

Flakët kanë djegur banesën nëlagjen "Kadri Qystri". Shkak i zjarrit ka qenë një bombol gazi e cila përdorej për ngrohje në banesë nga një 84 vjeçar që jetonte i vetëm.

Hasan Sharka ka shpëtuar për mrekulli nga flakët e zjarrit ndërsa banesa është shkrumbuar totalisht. Ka qenë ndërhyrja e zjarrfikësve që kanë izoluar zjarrin për të mos u përhapur në banesat e tjera.

Në të njëjtën kohë është ndërprerë dhe energjia elektrike. 84 vjeçari është marrë nga të afërmit e tij derisa të rregullohet situata në banesën e tij.

Sipas pergjegjësit të zjarrëfikësve Lushnje Fatmir Bozi, pakujdesia dhe shpesh herë përdorimi i bombolave të pakolauduara janë shkak për zjarre në banesa e jashtë tyre.

"Dyshohet se ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazit. Bombolat janë të pakolauduara. Mos merrni bombola vend e pa vend. Një bombol tej mase e vjetër është përdorur për ngrohje në një banesë" - tha Bozi.

Më të rrezikshme këto bombola janë kur përdoren nga të moshuarit ku mbi 90 % të rasteve përfundojnë me fatalitete për jetën e moshave të treta që jetojnë vetëm.