‘Made in Albania’ markë e sigurtë në Evropë! Kreu i eksportuesve: Të krijohen zona industriale!

6 Prill 2021, 16:05

Produktet që prodhohen dhe përpunohen në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më shumë atraktive për sipërmarrësit e huaj. Kreu i shoqatës së eksportuesve Alban Zusi thotë për Report TV se marka ‘Made in Albania’ tashmë ka zënë vend në tregun ndërkombëtar.

“Importuesit evropian nuk e kanë më të sikletshme të vendosin në produktet e tyre edhe ‘Made in Albania’, sepse para disa vitesh ishte problematike dhe konsiderohej një imazh jo i mirë për produktet e tyre dhe përpiqeshin ta evitonin, ndërsa tani produktet shqiptare po zënë hapësirë për tu tregtuar me dinjitet dhe me emrin dhe prej-ardhjen e tyre”, shprehet Alban Zusi. 

Pandemia COVID-19 përpos anëve negative sipas Zusit ka ndikuar pozitivisht tek zgjerimi i hartës së shteteve me të cilët kemi marrëdhënie tregtare. 

“Gjithmonë e më tepër eksportet shqiptare po synojnë të krijojnë një gjeografi të re, larg rajonit duke tentuar të futen në ekonomi të fuqishme. Kushtet e pandemisë i kanë shtyrë bizneset të mendojnë gjithnjë e më tepër për të dalë me një brand të tyre, dhe këtu nuk kam parasysh vetëm industrinë ushqimore por janë dhe ato të fasonerisë që po dalin me një produkt të tyre, po krijojnë departamentet e kërkim-zhvillimit dhe po përpiqen të dalin me ‘Made in Albania’. Ajo që është me rëndësi është që ne po dalim në treg me produkte të vështira dhe të përpunuara dhe jo me produkte të thjeshta”, sqaron Zusi. 

Nga ana tjetër, Zusi thotë se sipërmarrja ka nevojë për lehtësim procedurash, pasi zgjatja në kohë e tyre dëmton investimet e reja, teksa propozon edhe krijimin e zonave industriale.

“Nëse ju paraqitet një oportunitet nuk do të thotë se këtë mundësi do ta ketë edhe mbas një vitit kur të mbarojnë procedurat e marrjes së lejes ndërtimore, ne duhet të lehtësojmë mënyrën e të bërit biznes, mundësisht të krijojmë disa zona industriale kjo është e rëndësishme, që kushdo që ka një ide brenda muajit të shkojë në zonë industriale dhe të investojë. Të jetë zonë me të gjitha taksat por të jetë e lehtë për të ndërtuar dhe shpejtësisë për të investuar”, shprehet kreu i eksportuesve.