Makinat me 0 kilometra të vjedhura?! Edhe INTERPOL në kufi për zhdoganimin

25 Tetor 2019, 18:18

TIRANE - Në Shqipëri, vetëm vitin e fundit, 15 qytetarë kishin shpenzuar vlera marramendëse për të blerë makinë të re me zero kilometra në koncensionarë të huaj dhe vendas, dhe ato u kanë rezultuar të vjedhur në një shtet të BE-së! Ky risk mund të zhduket përmes një marrëveshje të cilën Report Tv mëson se Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor pritet të nënshkruajë shumë shpejt me Drejtorinë e Doganave.

Dy ditë më parë, në një inervistë për Report Tv, përgjegjësi i Regjistrimit të automjeteve Astrit Nasufi, tha se për të shmangur rrezikun që automjetet e reja të rezultojnë të vjedhura, në pikat doganore duhet të jetë edhe INTERPOL-i. Kjo nevojë emergjente për të mos dëmtuar xhepat e qytetarëve, reflektohet në marrëveshje: "Në dogana do të integrohet INTERPOL, për të bërë më të thelluar kontrollin e automjeteve, në mënyrë që çdo makinë që hyn në vendin tonë të jetë e standardeve të duhura teknike, duke evidentuar modifikimet e palejuara që mund të jenë bërë. ", është një pjesë e marrëveshjes që Report TV e disponon.

Por si është situata aktualisht në dogana?

“Sot dogana  bën procedurën e zhdoganimit pa bërë identifikimin më përpara në INTERPOL. Nëse ai mjet është deklaruar i vjedhur (në INTERPOL) në një farë mënyre e legalizon pra në doganë duhet të ishte detyrimisht INTERPOLI përpara se të ofrohet shërbimi i zhdoganimit”, tha Astrit Nasufi dy ditë më parë në Report Tv.

Report TV ka zbuluar edhe disa nga pikat e tjera që do të përmbajë kjo marrëveshje, e cila do të ndryshojë edhe mënyra e kontrollit të mjeteve.

1. Kontroll i detajuar, për të identifikuar përpara zhdoganimit nëse automjeti është i vjedhur, i modifikuar, i dëmtuar apo jo, dhe më pas do të hyjë në treg.

2. Në dogana do të integrohet INTERPOL, për të bërë më të thelluar kontrollin e automjeteve, në mënyrë që çdo makinë që hynë në vendin tonë të jetë e standardeve të duhura teknike, duke evidentuar modifikimet e palejuara që mund të jenë bërë. Aktualisht dogana nuk kryen kontroll të mjeteve, thjesht i zhdoganon.

3. Një pikë tjetër që do të jetë pjesë e marrëveshjes është edhe ngritja e sistemeve të integruara të dhënave të makinave që importohen në mënyrë që DPSHTRR të ndërveprojë menjëherë në sistemin e të dhënave të doganës.

4. Gjithashtu baza e të dhënave nuk do të mbahet në format teksti por do të ketë një dritare të veçantë të dhënash ku nuk mund të bëhen ndryshime.

5. Vendosja e kontrollit doganor, synon po ashtu të ulë numrin e automjeteve të përdorura që hyjnë në vendin tonë, pasi me vendosjen e sistemeve të integruara në pikat doganore do të bëhet i mundur identifikimi i vitit të saktë kur është prodhuar automjeti duke shmangur mashtrimet që mund të ndodhin duke modifikuar pjesë të ndryshme apo duke ndryshuar vitin e prodhimit.

    No videos found.