Manchester United-Roma dhe Villarreal-Arsenal gjysmëfinalet e Europa League

16 Prill 2021, 12:30

Roma vijon të mbajë lart flamurin italian në Kupat e Europës. Verdhekuqtë janë kualifikuar për në gjysmëfinalet e Europa League ku do të përballen me Manchester United ndërsa çifti tjetër ëshë Villarreal-Arsenal. Romës i mjaftoi mbrëmë barazimi 1-1 ndaj Ajax për të kaluar mes katër më të mirave.Brobbey dhe Dzeko ishin autorët e golave ndërsa verdhekuqtë e kishin fituar 2-1 ndeshjen e parë.

Me Romën në gjysmëfinale do të përballet Manchester United që nuk e pati të vështirë të eliminonte në çerekfinale spanjollët e Granada. Mbrëmë në “Old Traford” anglezët fituan 2-0 njëjtë si ndeshjen e parë. Rrjetën e tundi Cavani ndërsa Vallejo shënoi në portën e tij.

Arsenali e pati më të lehtë nga çfarë mendohej ndaj Slavias së Pragës. Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë çerekfinale ia vështirësonte punën topçinjve por në Pragë e zgjidhën gjithçka që në 24 minuta lojë kur marrin një avantazh 3-0 falë golave të Pepe, Lacazette dhe Saka. Qëndërsulmuesi Lacazette shtoi edhe një tjetër gol në pjesën e dytë dhe Arsenali kaloi në gjysmëfinale duke fituar 4-0.

Ndërsa Villarreali e fitoi edhe ndeshjen e kthimit ndaj Dinamo Zagreb. Spanjollët triumfuan 2-1 në shtëpi falë golave të lojtarëve kryesorë Paco Alcacer dhe Gerard Moreno. Villarreal i dhuron vetes një gjysmëfinale spektakolare në Europa League ndaj Arsenal. Përballjet e para do luhen më 29 prill./ Përgatiti Andi Kapxhiu