Marrëveshja me Pfizer dhe furnizimi me vaksina anti COVID, Ilir Meta dekreton aktet normative

27 Janar 2021, 14:40

Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekretuar paraditen e sotme tre vendimet e rëndësishme të Qeverisë në lidhje me marrëveshjet e vaksinimit, të cilat kaluan në Kuvend seancën e kaluar.

Bëhët fjalë për Aktin Normativ për t'i dhënë autorizimin ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit e vaksinës anticovid-19, të cilët janë të certifikuar nga Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe/ose Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me këtë vaksinë; Aktin Normatin për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë"; Aktin Normativ për miratimin miratimin e marrëveshjes së nënshkruar për “Prodhimin dhe furnizimin ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik”.

Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca bëhet me dije se Meta i bën thirrje Qeverisë, që nëpërmjet një plani të qartë dhe efikas të angazhohet seriozisht me të gjitha burimet, për mbulimin e nevojave të popullsisë për vaksinim, brenda një kohe sa më të shkurtër dhe përmes një protokolli shëndetësor të sigurtë, që garanton ruajtjen e vaksinës në parametra të sigurt, me qëllim efektivitetin e saj.

"Kreu i Shtetit thekson domosdoshmërinë e informimit të duhur të qytetarëve për vaksinën dhe karakteristikat e saj, sipas rregullave, që normojnë këtë proces me kaq rëndësi. Transparenca është thelbësore në demokraci, veçanërisht në luftën kundër kësaj pandemie tepër të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve", thuhet në njoftim.