Mbi 46 mijë biznese kërkojnë punonjës! Industria përpunuese vuan më shumë për krah pune

29 Korrik 2021, 15:06 | Përditesimi i fundit: 2021-07-29 16:24:05

Shumë sektorë të ekonomisë në vend po përballen me mungesë të punonjësve, ndërsa për ekspertin për punësimin dhe këshillimin e karrierës, Erion Muça, faktorët janë dy: politikat jo të duhura sa i takon formimit e arsimit dhe qasja e vizioni i kompanive të ndryshme.

Muça tha në "Report Tv" se ka kompani që nuk krijojnë klimën e nevojshme dhe mjedisin e nevojshëm për punonjësit dhe se disa prej tyre kanë si synim përfitimet e larta në kurriz të shfrytëzimit të punonjësve.

"Nuk besoj se jemi në situatë kolapsi por jemi përballë një realiteti që e kemi kultivuar në të gjithë këto vite, që nga politikat jo të duhura sa i takon formimit dhe arsimit deri tek qasja dhe vizioni i kompanive të ndryshme që nuk kanë krijuar klimën e nevojshme dhe mjedisin e favorshëm që punonjësi jo vetëm të punësohet dhe të marrë një rrogë që duhet të jetë në standardet normale të jetesës për të, por edhe të ketë motivimin e duhur për të arritur që të mund ta shohë dhe ta cilësojë një punë në plan afatgjatë.  Çdo kompani duhet ti ofrojë punonjësit mundësinë për zhvillim profesional brenda saj, ti ofrojë bonuese mbi orët shtesë të të punuarit apo si rrjedhojë e ngarkesës dhe vështirësisë në punë. Kanë pasur si synim dhe objektiv të tyre përfitimet e larta në dëm apo në kurriz të shfrytëzimit apo përdorimit të punonjësve të cilët kanë punuar dhe paga nuk justifikonte as lodhjen, as mundimin dhe as vështirësinë në punë", tha ai.

Mbi 46 mijë biznese në vend po kërkojnë punonjës aktualisht. Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia Kombëtare e punësimit, sektori që po vuan më shumë mungesën e punonjësve është industria përpunuese. Ndërsa në treg po kërkojnë më shumë profesione elementare.