Me lot dhe lule, në Argjentinë i jepel lamtumira e fundit Maradonës! Del autopsia: Vdiq në gjumë

26 Nëntor 2020, 15:05

Në pallatin presidencial të Argjentinës i është dhënë lamtumira e fundit sot Diego Armando Maradonës, lojtarit që është sinonimi i futbollit dhe që vdiq në moshën 60-vjeçare një ditë më parë. Në nder të ‘El Pibe de Oros’ qindra qytetarët pushtuan sot pallatin presidencial ku nuk munguan brohoritjet por as lotët. Në sytë e shumë prej tyre dallohej qartë edhe trishtimi, ndërsa e mbushën me lule dhe fanela.

Ndërkohë mediat në Argjentinë kanë publikuar edhe autopsinë e Maradonës. Ai vdiq në gjumë  nga kardiomiopatia, një gjendje ku muskujt e zemrës dobësohen dhe zgjerohen duke mos pompuar mjaftueshëm gjak për pjesën tjetër të trupit. Mësohet se fjalët e fundit të tij kanë qenë mëngjesin e së mërkurës kur ai zbriti të hante mëngjes. Ai kishte thënë nipit të tij se ‘nuk ndihej mirë dhe se po shkonte të shtrihej’.

Vdekja e Maradonës sfidoi edhe pandeminë e koronavirusit, pasi mijëra qytetarë në Buenos Ajros, por edhe në Napoli u mblodhën në rrugë në nder të legjendës. Për herë të fundit u këndua për atë, që pavarësisht se ishte një figurë mjaft kontroverse për shkak të jetës përtej fushës, bëri fëmijët në katër anët e botës dhe jo vetëm të dashuroheshin me futbollin.

Dhe sigurisht për një figurë të kësaj madhësie nuk munguan as mesazhet ngushëlluese. Ndër to mund të veçohet ai i brazilianit Pele, që tha se ‘humbi një nga miqtë e tij më të mirë’ dhe se ‘shpreson që një ditë të luajnë bashkë futboll në qiell’.

Edhe mesazhi i klubit të Napolit pikëlloi këdo. ‘Të gjithë presin që ne të flasim, por tani është koha të qajme,’-shkruhej në reagimin e tyre. Ikja e Maradonës nuk kaloi edhe pa lutjet e Papës, i cili është argjentinas dhe një tifoz i madh futbolli.

Dy nga shumë momentet e paharrueshme të Maradonës në futboll janë goli me dorë në çerekfinalet e Botërorit 1986 kundër Anglisë dhe kërcimi gjatë nxehmjes para ndeshjes me Bayern-in në Kupën Uefa.