"Me Partizanin më e vështirë se sa Tirana", Josa: Kukësi nuk përjashton asnjë objektiv

16 Shkurt 2021, 17:28

Pas humbjes me Kastriotin Kukësi gjeti forca të reagonte menjëherë, duke mposhtur Tiranën dhe duke marrë 3 pikë të rëndësishme për vazhdimësinë. Për këtë Kukës trajneri aktual Mirel Josa i jep merita edhe parardhësi, por thotë se një trepikësh nuk do të thotë asgjë në një kohë kur klubi ka patur pretendime të mëdha në fillim të sezonit.

“Jo , jo nuk mund të them se Kukësi i Mirel Josës. Unë kam vlerësuar edhe punën e paraardhësit tim. Nuk do të thotë se bëmë një fitore dhe të gjitha gjërat u mbyllën, të gjitha shkojnë mirë. Ne duhet të kujdesemi që të gabojmë sa më pak,”-deklaroi Josa.

Të shtunën Kukësi do të përballet me Partizanin e vendit të dytë, në atë që konsiderohet supersfida e javës së 20. Trajneri Josa thotë se kjo ndeshje është më e fortë se ajo me Tiranën.

“Për mua përherë ndeshja e radhës është më e fortë se ndeshjet e tjera, nuk dua të bëj krahasim. Varet se si interpretohet ndeshja. Është një kundërshtar që ka më tepër pikë se ne. Një skuadër shumë serioze, pretendente dhe nuk dua ta ngarkoj më shumë skuadrën.

A ka një limit kjo skuadër përsa objektivit final në përfundim të kampionat?

Nuk ka asnjë lloj limiti. Ne do të vazhdojmë deri në fund për të fituar ndeshjet dhe për t’I marrë një nga një,”-u shpreh Josa.

Aktualisht Kukësi renditet në vendin e pestë me 29 pikë, 11 më pak se Vllaznia kryesuese.