Më shumë se 1 miliard dollarë për autostradën Prishtinë-Nish, hekurudhën dhe Brezovicën

22 Shtator 2020, 18:22

Në deklaratën e nënshkruar ditën e djeshme Kosova dhe Shtetet e Bashkuara zotohen për realizimin e projekteve që burojnë nga marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington. Në konferencën e përbashkët për media, zyrtarët amerikanët premtuan 1 miliard dollarë investime për projektin e “Autostradës së paqes”, hekurudhave dhe Qendrës së Skijimit në Brezovicë.

“Ne kemi punuar në përgatitjet për mundësitë të asaj që ka ndodhur para dy javësh. Ne kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin, ne jemi duke përgatitur projekte që kalojnë vlerën një miliard dollarë. Kjo përfshinë rrugën “Autostrada e Paqes”, hekurudhën, përfshinë gazin e lëngshëm natyror (LNG). Ne kemi folur dhe kemi diskutuar për mundësinë e investimeve në resor skijimi”.

Sipas Adam Boehler, kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, teksa foli për investimet në rajon theksoi se administrata aktuale amerikane nuk synon që të përfitojë vetëm njëra palë, por njoftoi se investimet amerikane do të rriten ndjeshëm.  

Vetë Boehler,  e ka konsideruar delegacionin amerikan në Kosovë të pashembullt për shkak të përbërjes së tij, me përfaqësues të gjashtë agjencive amerikane.

Kjo vizitë në Kosovë ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpine e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.