'Medalje e Artë' për gjimnazistë me rezultate të shkëlqyera, Rama: Është një shenjë e forcës që keni ju brenda

23 Prill 2021, 12:42 | Përditesimi i fundit: 2021-04-23 15:35:28

Ditën e sotme është zhvilluar në kryeministri ceremonia e dhënies së 'Medaljes së Artë' për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama u bëri thirrje të rinjve që sa herë të ndodhen në vështirësi të kujtojnë prindërit dhe përpjekjet e mëdha që ata kanë bërë drejt realizimit të ëndrrave të tyre, ndërsa theksoi se të rinjtë duhet të këmbëngulin drejt suksesit.

“Ëndrra që shikoni më sy hapur është aty për ju dhe nuk vjen rastësisht. Ajo ju thotë që ju jeni bërë për ta realizuar, por ju takon juve, i takon njeriut sepse ndryshe do t’ja dilnim të gjithë. Shumë mirënjohje për forcën e shembullit tuaj. Arsyeja përse doja ta ndaj me ju këtë moment është që të gjithë ata që na ndjekin të marrin shembull.

Ka plot vajza dhe djem që mund të kenë nevojë për shembullin tuaj. Sot bota është e guximtarëve, e këmbëngulësve dhe e të duruarve. Në këtë botë ka vend për të gjithë dhe të gjithë jemi udhëtarë që kalojmë dhe ikim, po ka shumë mundësi udhëtimi. “Medalja e Artë” është një shenjë e forcës që ju e keni brenda”,  tha Rama.