Merret vendimi i rëndësishëm në Gjermani për Arbër Çekajn, pronari i kontenierit me 613 kg kokainë

23 Gusht 2019, 18:55

TIRANE - Drejtësia gjermane ka bërë hapin e parë për ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, pronarit të kontenierit me banane "Arbri Garden", brenda të cilit në mars të 2018-ës u zbuluan në Portin e Durrësit 613 kilogramë kokainë ardhur nga Kolumbia. Shkalla e parë e një gjykate gjermane i ka dhënë OK ekstradimit, por ky vendim nuk bën që Çekaj, i arrestuar në Gjermani, të vijë drejt vendit tonë.

Shqiptarja.com mëson se Arbër Çekaj, se përmes avokatit të tij gjerman e ka apeluar vendimin, dhe që të marrë formë të prerë duhet të pritet si do të jetë edhe vendimi i Apelit. Po ashtu, Çekaj ka kërkuar azil politik në Gjermani, kërkesë e cila është në shqyrtim e sipër. Vendimi për ekstradimin është dhënë nga drejtësia gjermane rreth 20 ditë më parë nga gjykata penale e Dusseldorfit. Edhe në këtë seancë, Arbër Çekaj ka kërkuar të mos ekstradohet me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta.