Maliq, mes varfërisë dhe sëmundjes, 50-vjeçarja: Dua vetëm një strehë!

23 Tetor 2020, 21:24 | Përditesimi i fundit: 2020-10-23 21:29:41

Teksa dimri po troket jetesa për familjen Balliu në Leminot te Maliqit bëhet akoma më e vështirë. Burbuqe Balliu dhe bashkëshorti i saj jetojnë prej 12 vitesh në një banesë me qira e cila rrezikon të shembet. Mes varfërisë dhe vuajtjeve 50 vjeçarja apelon për ndihmë.

“Këtu jetoj vetëm me burrin në kushte shumë të vështira, më shumë rrimë pa bukë sesa me bukë. Kur na del ndonjë punë, na thonë shkojmë, mbledhim lule. Çfarë bie jashtë, bie brenda në shtëpi, jetojmë me të keq”, tha 50 vjeçarja

Të vetmet të ardhura që merr janë 3 mijë lekë asistencë sociale  në muaj të cilat nuk i mjaftojnë për të shlyer qiranë e shtëpisë , ndersa për të mbushur frigoriferin është e pamundur.

“Marr 30 mijë lekë por laj dritat, nuk kam çfarë të bëj, vjen ai i qirasë do lekët”, tha Burbuqe Balliu

Duket sikur varfëria nuk ka mjaftuar për këtë familje, ku fatkeqësitë i kanë ndjekur nga pas. Burbuqja, nënë e 4 fëmijëve iu desh të përballej me humbjen e dy djemëve të saj.

“Kam pasur katër fëmijë, dy djem më kanë vdekur, një më ra nga arra kurse tjetrin e pickoi gjarpëri. Djali i madh më ka vdekur 23 vjeç, më digjet barku çdo ditë për djemtë”, tha 50 vjeçarja

Mes lotëve ajo tregon se për shkak të mjerimit u detyra që dhe dy vajzat t’i martonte në moshë fare të re, duke i larguar nga gjiri i familjes.

“Vajzat i martova të vogla se nuk kisha kushte t’i mbaja. Njërën 14 vjeç kurse tjetrën 15 vjeç. Nuk kisha kushte, nuk kishin çfarë të hanin, e vështirë ka qenë për mua t’i martoja të vogla vajzat” , Burbuqe Balliu

Sot, e vetmja gjë që Burbuqja kërkon është të ketë një strehë mbi kokë.

“Unë kërkoj ndihmë nga shteti vetëm për një shtëpi ku të fus kokën. Se një kafshatë bukë do ta bëj, do bëj nai punë por dua vetëm një shtëpi”, tha 50 vjeçarja