Meta: 13 Tetori, Meta: Nëse nuk do të marrë pjesë opozita, disa parti të reja do të inkurajohen

18 Korrik 2019, 13:29

Presidenti Ilir Meta duket se nuk ka marrë garanci të plotë nga lideri demokrat Lulzim Basha se PD do të jetë pjesë e procesit zgjedhor të 13 tetorit, që ai ka shpallur si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Duke komentuar para gazetarëve takimin që mbajti në Presidencë dy ditë më parë me kryetarin e PD në zyrën e tij në Presidencë, Meta tha se ai nuk i imponohet askujt, por se vetëm ka shfaqur qëndrimin e tij. Në rast se parti të ndryshme të opozitës - tha Meta - nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, atëherë ai u shpreh se do të inkurajohen të bëhen pjesë e procesit parti të reja. Në këtë rast, Meta tha se duhet respektuar afati i regjistrimit në KQZ të këtyre partive. Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, Meta la të kuptohet se në këtë deklaratë i referohet Bindjes Demokratike, që siç opozita pretendon, u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jashtë afateve ligjore. Por edhe Bindja Demokratike ishte një forcë e re politike që u krijua pak para zgjedhjeve të 30 qershorit me kryetar Astrit Patozin. Ishte kjo forcë politike që u fut në garën elektorale të 30 qershorit me kandidatë në disa bashki, por që nga opozita, edhe nga vetë Presidenti, u konsideruan zgjedhje farsë me garë fasadë, duke u quajtur votime socialiste.

"Unë jap mendimet e mia të gjithëve, nuk i imponohem askujt. në momentin që shkohet në zgjedhje të ligjshme është detyra ime të kërkoj që qeveria të japë një garanci që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, ashtu si opozita duhet të jetë e përgjegjshme të marrë pjesë. Nëse nuk do të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita, për shembull PD, LSI, disa parti të tjetra, jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të reja politike, që të regjistrohen në kohë", tha Meta.

Meta lë shumë të kuptohet me këtë deklaratë të bërë sot.

Lëvizja Socialiste për Integrim, që është partia që ai i la në drejtim bashkëshortes së tij pasi u bë president, Monika Kryemadhit, e përqafoi menjëherë 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore. I vetmi që është shfaqur i lëkundur është Lulzim Basha. Kreu i PD-së aleatët dhe LSI-ja, rrugëtimin antiqeveritar në atë që e quajtën opozita e bashkuar, e nisën për të rrëzuar Edi Ramën dhe për të hyrë në një proces zgjedhor pa Ramën kryeministër. Më shumë sesa një tentativë e Metës për të zgjidhur krizën dhe për ta çuar vendin në një proces zgjedhor me standarde, kjo duket një mundësi për të futur sërish në jetën politike, partinë e bashkëshortes së tij LSI-në. Kryemadhi është shprehur publikisht se është gati edhe të shkojë në zgjedhje të parakoshme parlamentare duke mos shprehur frikë nga fakti që Rama është kryeministër, një kusht ky i Lulzim Bashës, që edhe pse u duke se u zbeh kur kryedemokrati mirëpriti 13 tetorin disa ditë më parë, është ende një pikë e fortë ndarëse mes opozitës së bashkuar.

Nëse Bindja Demokratike, parti e re, u quajt fasadë, atëherë përse partitë e reja që siç Meta u shpreh, do të krijohen para zgjedhjeve të tetorit që ai synon, duhet të jenë ndryshe, pra jo fasadë për të mbuluar procesin zgjedhor siç vetë ai akuzoi Partinë Socialiste se veproi duke përdorur Bindjen.