Meta: Prokuroria të hetojë vendimin për Dajtin, Angjeli në krye të KLSH-së? Të sundojë ligji

Presidenti i Republikës Ilir Meta kërkoi nga prokuroria që të vendoset në lëvizje për të hetuar vendimin e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për heqjen e dënimit të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin përfundimisht të tij me 25 vite burg. "Mbështes reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian. KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe hetuar çështjen në fjalë" tha Meta.

Gjithashtu kreu i shtetit foli edhe për ngërcin e krijuar për emrin e ri të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi deri tani shumica ka rrëzuar dy kandidaturat e tij, Vitore Tushën dhe Bahri Shaqirin. Meta u pyet nëse do të jetë deputeti i PS-së, Anastas Angjeli kandidatura e tretë. "Unë jam i bindur që të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit synojnë forcimin e institucioneve të pavarura dhe sundimin e ligjit jo të shumicave" tha Meta.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklarata i bëri, pasi mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga INFOÇIP me temë “Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor”. Kreu i shtetit deklaroi se rastet e largimit të padrejtë nga puna janë konkrete dhe se numri është në rritje.  Meta u shpreh se ligjet e miratuara janë të mira, por nuk zbatohen, ndërsa kërkoi që të shtrohet për diskutim ideja, që nëse gjykata i jep të drejtë punonjësit të shkarkuar, atëherë të jetë zyrtari që e ka liruar nga detyra që të paguajë kostot financiare dhe jo taksapaguesit.

'Rastet e heqjes së padrejtë nga puna janë realitet konkret. Numri është në rrije. Të shtrohet për diskutim evidentimi i përgjegjësisë së zyrtarit që bën shkarkime të padrejta nga puna, përgjegjësi penale ose edhe të drejtpërdrejtë financiare.  Të sanksionohet me ligj që fatura e shkarkimit ti kalojë zyrtarit jo taksapaguesve. Kuvendi dhe qeveria të bëjnë çmos që forca e punës të japë kontributin këtu dhe të dekurajojë largimet nga vendi" tha Meta ndër të tjera.