Milani rikthehet tek fitorja dhe i bën presion Interit, fitojnë edhe Napoli, Atletico Madrid e Liverpool

1 Mars 2021, 15:19 | Përditesimi i fundit: 2021-03-01 15:21:22

Katër ndeshje radhazi pa provuar shijen e fitores nuk ishin pak por Milani u rikthye tek tre pikët në momentin e duhur. Kuqezinjtë mposhtën 2-1 Romën në “Olimpico” dhe rikthejnë diferencën prej katër pikësh nga Interi kryesues duke mbajtur të hapur diskutimin titull. Kessie në fundin e pjesës së parë me penallti kaloi skuadrën e Piolit në avantazh por në fillimin e fraksionit të dytë Jordan Veretout barazoi shifrat me një supergol. Gjithsesi reagimi i miqve erdhi shumë shpejt me një diagonale të bukur të Rebic që përfundon në rrjetë dhe rezulton goli i fitores.

Pikë jetike për zonën Champions siguroi Napoli që në ndeshjen e javës së 24-të të Serisë A mposhti 2-0 Beneventon. Golat u shënuan nga një për çdo pjesë nga Mertens dhe Politano.

Ndërsa në La Liga tek triumfi pas dy ndeshjesh u rikthyen kryesuesit e Atletico Madrid. Falë autogolit të Alfonso Pedraza dhe rrjetës së Joao Felix Atletico mundi 2-0 Villarreal dhe shkëputet në kryesim me 5 pikë më shumë se Barcelona.

Liverpool kishte katër ndeshje që nuk fitonte në Premier League por këtë thatësirë e ndërpreu duke mundur në transfertë 2-0  Sheffield Utd. Megjithë tre pikët kampionët në fuqi janë ende jashtë zonës Champions.

Pa gola u mbyll superndeshja e javës së 26-të në ishull mes Chelseat dhe Manchester United. Kjo bën që City i vendit të parë të shkëputet me 12 pikë nga ndjekësit e United./Përgatiti Andi Kapxhiu