Milani shërohet plotësisht në Serinë A, Haaland vendos rekord në fitoren e Dortmundit

25 Janar 2020, 10:01

Milani siguron fitoren e tretë radhazi në Serinë A dhe shërohet plotësisht. Në ndeshjen hapëse të javës së 21-të kuqezinjtë edhe pse me shumë vështirësi mposhtën Brescia-n 1-0 në stadiumin “Rigamonti”. Fitorja erdhi falë golit të kroatit Ante Rebic i cili u fut si zëvendësues dhe shënoi gol në minutën e 71-të. Milani fluturon në kuotën e 31 pikëve dhe kap zonën europiane.

Në Bundesligën gjermane Borussia Dortmund siguron fitoren e dytë radhazi. Verdhezinjtë fituan në stadiumin e tyre 5-1 ndaj Këln dhe kapin Bayernin në klasifikim duke qënë tashmë vetëm 4 pikë larg vendit të parë. Guerreiro shënoi golin e parë dhe më pas shënuan Reus e Jadon Sancho ndërsa më pas erdhi momenti i talentit Haaland.