Ministrat e Jashtëm pa marrëveshje! Vendimi për negociatat në dorë të liderëve të BE në samitin e 17-18 Tetorit

15 Tetor 2019, 20:48

LUKSEMBURG - Vendimi për hapjen e negociatave për në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore do të vendoset në Këshillin Evropian të enjten dhe të premten në Bruksel nga krerët e shteteve të vendeve anëtare në BE. Në mbledhjen e sotme në Luksemburg të minsitrave të Jashtëm të BE-së nuk është arritur në një marrëveshje, unanimiteti i kërkuar për fillimin e negociatave. Diskutimi do të vazhdojë të enjten midis krerëve të shteteve të BE dhe qeverive në samirin e 17-18 tetorit.  

Franca, e cila gjithmonë ka kundërshtuar fillimin e negociatave, ishte e vetmja që i bëri veton dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, sipas ANSA-s, Holanda ka kërkuar që rrugëtimi i Shqipërisë të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut.

Në fund të takimit, ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen, deklaroi se në mbledhje është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut, por Tuppurainen u shpreh optimiste se një marrëveshje do të arrihet në mbledhjen e së premtes së Këshillit Evropian. Tytti Tuppurainen shprehu zhgënjimin që Këshilli nuk arriti sot në një vendim unanim për atë që e quajti “lagje të BE-së”.