Ministri i jashtëm gjerman: Idetë për prekje kufijsh në Ballkan, jorealiste dhe të rrezikshme

23 Prill 2021, 14:15

Idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan janë jo vetëm joreale, janë edhe të rrezikshme, është shprehur kështu ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, ditën e djeshme në Kosovë. 

“E konsiderojmë të rrezikshëm edhe vetëm diskutimin që bëhet për këtë çështje. Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper, është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, Qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve”, ka deklaruar ministri i jashtëm gjerman, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Gjatë konferencës me presidenten Vjosa Osmani ai u shpreh se dëshiron që ideja e fundit në këtë drejtim të futet në sirtar dhe të jetë pjesë e së kaluarës.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Maas ka thënë se Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun në mes të këtyre vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

 “Në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, është normale nga të dyja anët të ketë kompromise dhe unë nuk dua të tërheq linja të kuqe, mirëpo në anën tjetër e di që për shkak të linjave historike e vështirë. Unë dëshiroj që në fund të procesit të gjejmë zgjidhje dhe të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”, ka deklaruar Maas.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

“Republika e Kosovës ka ofruar dorën e bashkëpunimit dhe pse për fat të keq Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Osmani duke theksuar se duhet drejtësi.