Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokon funksionimin për Bashkinë e Shkodrës

20 Gusht 2019, 22:24

SHKODËR - Ministria e Financave dhe Ekonomisë bllokon funksionimin e Bashkisë së Shkodrës, në kushtet kur sot, më 20 gusht, përfundoi zyrtarisht mandati i kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Sot Ministria e Financave bllokoi përmes degës së Thesarit procedurat e likuidimit për fondet dhe investimet e bashkisë Shkodër. 

Ditën e sotme, Dega e Thesarit nuk ka pranuar të kryejë veprimet përkatëse për likujdimin e faturave për shërbimet e bashkisë Shkodër. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, ka bërë një komunikim me e-mail sot në orën 15:02 me degën e Thesarit të Shkodrës, ku i njofton se "sipas ligjit, kryetares së Bashkisë i mbaron mandati më datë 20.08.2019, ora 16:30 sipas orarit zyrtar, për ditët në vijim do të jetë këshilli bashkiak që duhet të zgjidhë problemin".

Me vënien në dijeni të këtij vendimi, ish-kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i ka dërguar një letër ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, për dijeni edhe të gjithë ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, ku thotë se ku është një veprim i paprecedentë, politik dhe i paligjshëm.