Mirditë, Lindita Nikolla shpërndan libra falas: Kjo nismë do zgjerohet në vitet në vijim edhe për klasat e tjera

12 Shtator 2018, 16:14

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka qenë e pranishme sot në zonën e Mirditës, ku ka shpërndarë libra falas për familjet nga kategoritë e veçanta përfituese.  Dy vajzat e vogla të familjes Nikolli, Eitilda dhe Erjana morën në familjen e tyre nga ministrja pakon e librave duke marrë edhe urimet për një vit shkollor sa më të mbarë. Nikolla  deklaroi se:

Ky është një hap i parë për t’u qëndruar sa më pranë këtyre familjeve dhe për t’u lehtësuar shpenzimet që do duhet të kenë gjatë ditës së parë të shkollës duke u premtuar se për këto familje do të bëhen edhe më shumë.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla

Kryefamiljarja e familjes Nikolli pohoi se librat falas janë një ndihmë që u ka lehtësuar buxhetin e tyre minimal ndërsa deklaroi se këtë vit nuk do i duhet të marrë para borxh për të blerë librat për vajzën në klasën e V-të dhe të rimbursohet pasi librat fëmijët i morën në dorë pa paguar asgjë.

Ministrja Nikolla ishte e pranishme edhe në familjen Marku për t’i dhënë librat falas Kleanit, djalit të kësaj familje, që këtë vit shkon në klasën e VIII.  Ministrja theksoi se taksat e prindërve shqiptarë rikthehen për të lehtësuar shpenzimet e familjeve që kanë më shumë nevojë.

Në familjen Ndreu, 3 fëmijët që përfitojnë tekste falas për shkak të statusit të jetimit, morën librat nga ministrja e Arsimit, e cila ishte në shtëpinë e tyre për vizitë, teksa pohoi se kjo nismë do të vijojë të zgjerohet në vitet në vijim edhe për klasat e tjera, ndërsa fëmijëve i uroi suksese në këtë vit shkollor.