Mirëdita Mësuese - Mesimi 22

4 Nëntor 2019, 14:33

Përgjatë mësimit të sotëm ju njiheni me rëndësinë kuptimore dhe gjuhësore të trajtës foljore “do të”, e cila shërben për formimin e kohës së ardhmeve të të gjitha foljeve. Mirëpo duket se folësit dhe shkruesit e shqipes e kanë zvogëluar atë vetëm në “do”. Ku qëndron pasaktësia në këtë rast? Mësuese Anjeza shpjegon foljen “do” si formë të vetës së dytë dhe të tretë, njëjës, që nuk është gjë tjetër, veçse folja “dua” dhe rëndësinë e pjesëzës “të” si vendimtare për të treguar moskryerjen e veprimit dhe mundësinë e kryerjes së tij në të ardhmen. Në vijim mësuesja jonë shpjegon drejtshkrimin e emrave “i ati”, “e ëma” në të gjitha rasat. Ato nuk duhet të shkruhen me një “j” përpara. Gjithashtu edhe përdorimi i apostrofit trajtohet nëpërmjet dhënies së shembujve, “i/e t’et”, “i/e s’ëmës”, etj. Fjala e huaj për sot është përcaktori “evident/e” që në shqipe fare mirë zëvendësohet me përcaktorin “i/e dukshme”.