Mirëqënia faktor kryesor për rritjen e obezitetit, dietologia Blerina Bombaj shpjegon arsyet në “Rreze Dielli”

20 Shtator 2018, 15:28

Rritja e nivelit të obezitetit dhe mungesa e aktivitetit fizik tek shqiptarët ishte këtë të enjte temë diskutimi në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV ku të ftuarit dietologia Blerina Bombaj Troci dhe sociologia Entela Binjaku shpjeguan arsyet pse kjo sëmundje po njeh rritje edhe në vendin tonë. Dietologia Bombaj Troci shpjegoi faktorët të cilët janë shkaktarë të obezitetit.

Obeziteti ka një background(sfond) deri në 70 % gjenetik i cili "martohet" me faktorë ambientalë të cilët janë të ndryshëm. Është dhe mirëqënia dhe varfëria, statusi socio-ekonomik, niveli apo standarti i jetesës, zakonet dhe kultura. Është dhe politika që një vend për të parandaluar rritjen e obezitetit. Janë shumë faktorë bashkë që këtë 70 % predispozitë gjenetike e bëjnë që të shpërthejë ose të qëndrojë e heshtur. Ne tashmë jemi në kulmin e favorizimit të obezitetit.

Blerina Bombaj Troci, dietologe

Sipas Bombaj, mirëqënia është një prej faktorëve kryesorë në rritjen e obezitetit në mbarë botën, pasi ka krijuar mundësinë për ushqime të shpejta dhe më pak aktivitet fizik.

Padiskutim që mirëqënia ka krijuar terrenin e obezitetit, aksesin e shumtë në ushqim, ushqime të shpejta kalorike dhe të shijshme, ulja e kativiteti fizik gjithashtu vjen nga mirëqënia sepse mirëqënia krijon mundësinë për makina, ashensorë, televizorë, pra ulet aktiviteti fizik që luan rol kryesor në bilancin energjetik të njeriut, që vendos peshën trupore të njeriut. Kështu që mirëqënia është padiskutim një nga shkaqet kryesore të mbipeshës.

Blerina Bombaj Troci, dietologe

Ndërsa sociologia Entela Binjaku foli për nënvlerësimin apo anashkalimin e lëndës së fiskulturës në shkolla duke dhënë dhe shpjegimet në aspektin social pse shqiptarët janë bërë indiferent ndaj aktivitetit fizik në këto 27 vite tranzicion. Në emision u diskutua edhe studimi më i fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas të cilit gati gjysma e shqiptarëve nuk kryejnë asnjë aktivitet fizik.