Modelja Xhesika Berberi i rindërton shtëpinë familjes nga Ndroqi, Veliaj: Faleminderit nga zemra

20 Shtator 2020, 11:45

TIRANË - Kjo e dielë (20 shtator) do të mbahet mend gjatë për familjen Çekirri në Ndroq. Pas disa muajve të kaluar në çadër, pas tërmetit të 26 nëntorit, ajo mori sot çelësat e shtëpisë së re, e cila është jo vetëm më e sigurt, por dhe me kushte shumë herë më të mira se më parë.

Shtëpia u rindertua falë nismës së modeles së njohur shqiptare, Xhesika Berberi, e cila mblodhi fondet dhe i dhuroi për ndërtimin e banesës së familjes Çekirri.

Teksa falenderoi Xhesikën, por edhe miqtë e shumtë që kontribuan, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se janë porositur për rindërtim rreth 1 mijë shtëpi individuale.

“Shteti bën sa mundet, por edhe shteti ka limite. Kur shteti nuk i bën të gjitha gjërat vetë, kërkon ndihmë nga shoqëria, nga njerëzit e famshëm, nga ata që kanë mundësi, nga njerëz që frymëzojnë të tjerët. Falë Xhesikës, Adrola Dushit dhe gjithë artistëve të tjerë, që kanë një reputacion, në vend që ta përdorin reputacionin për më shumë vanitet, për Instagram e Facebook, vendosë që këtë reputacion ta shfrytëzojnë për t’i bërë shtëpinë Nuriut dhe Enos së vogël. Ndaj, edhe unë e kam zemrën plot me mirënjohje për ta. Ne do ta bëjmë punën tonë, jemi në një fazë ku kemi 1 mijë shtëpi të porositura, por çdo njeri që na heq një pjesë të barrës, na jep nje dorë”, tha Veliaj.