Moisiu: Politikanët të mendojnë më pak për veten e më shumë për popullin

25 Tetor 2019, 18:39 | Përditesimi i fundit: 2019-10-25 19:53:05

TIRANE - Për ish-presidentin e Republikës Alfred Moisiu përpjekjet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nuk përbëjnë asgjë të jashtëzakonshme. I pyetur nga report tv për këtë proces, Moisiu tha se nuk shikon asgjë të keqe në faktin që politika kërkon shkarkimin e një zyrtari.

"Sigurisht nuk është mirë të ndodhin këto gjëra por Kushtetuta parashikon rrugëzgjidhje. Bazuar dhe në opinionin e Venecias, çështja duhet të ecë në rrugë Kushtetuese dhe institucionale por siç e dimë ne na mungon një Gjykatë Kushtetuese, përpjekjet po bëhen që Gjykata të jetë por kjo është faza e fundit. Nuk ka asgjë të keqe që politika, referuar në Kushtetutë të kërkojë shkarkimin e një zyrtari. Puna vazhdon. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Demokracia kështu e ka, të jep pushtetin pastaj të kërkon llogari", shprehet Mojsiu.

Ish-presidenti i Republikës foli edhe për krizën politike në vend, duke shpresuar se reformat do sjellin ndryshimin e klasës politike.

 “Politikanët tanë duhet të mendojnë më pak për veten dhe më shumë për popullin. Shpresoj që reformat që po bëhen të pastrojnë klasën politike shqiptare nga personat e pavlefshëm”, tha ish-presidenti.

Alfred Moisiu ishte i pranishëm sot në konferencën për Samitin për Paqe i Evropës Juglindore që qëllim kryesor ka paqen dhe sigurinë në rajon.

    No videos found.