Mollëve të Korçës nuk do t'u rezistoni këtë vit, fermerët shumë të kënaqur: Na ka ecur mbarë

23 Shtator 2019, 20:41

KORÇË- Mollët e Korçës këtë vit nuk do të mund t'u rezistoni, pasi prodhimi ka rezultuar i cilësisë shumë të mirë. Ndryshe nga sa u shprehën disa ditë më parë fermerët e patates në Korçë, ata të mollëve janë të kënaqur me produktin që kanë prodhuar.

Madje në hapjen e procesit të vjeljes organizohet edhe një festë ku fermerët ekspozojnë varietet të shumta të mollës që i kultivojnë prej vitesh.

Jam nga fshati Polenë, prodhimi i mollës është shumë i mbarë, se për fat të mirë nuk na ra dhe breshër se ka zona që ka zënë edhe breshëri"

"Padyshim që ka qenë një sezon i mirë, aktualisht jemi në prag të sezonit të vjeljes. Ka filluar për disa variete të hershme që I kemi sjellë për treg". shprehen tregtarët.

Por shqetësim për fermerët vijon të mbetet mungesa e tregut të shitjes dhe për këtë ata kërkojnë që shteti tu gjendet në krah.

"Viti ka qenë shumë i mbarë, por duhet të kemi treg. Problem më i madh është i tregut, duhet të ketë më shumë, duhet të jetë më i avancuar.

Si prodhim, si vit ka qenë vit i mirë, tani të shpresojmë për tregun", shprehen fermerët.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo thotë se tradita e kultivimit të mollës do të mbështetet me aktivitetet promovuese.

"Festa e Mollës, ashtu si festat e tjera të fshatrave, bashkia e Korçës do të vazhdojë t'i organizojnë edhe në vitet në vazhdim si një mënyre tipike për të promovuar produktet tipike të zonës tonë dhe pse jo për të gjallëruar jetën në këto fshatra", tha Filo.

Dvorani është një ndër zonat më të njohura në juglindje për prodhimin dhe varietet e larmishme të mollës, por në Korçë, parcelat e mollëve do t'i hasni pothuajse në çdo fshat.

    No videos found.