Monsinjor Frano Gjini /Si u pushkatua abati i fundit i Mirditës

21 Shtator 2021, 07:08

11 mars 1948, ora 5 e mëngjesit... Burgu i fretërve ka lëvizje e zhurmë më shumë se asnjëherë tjetër... zhurmë prangash e shula dyersh, zhurmë makinash e trokitje çizmesh përbëjnë sfondin e atij mëngjesi të vrenjtur... Tek Çinarët, afër varreve katolike në Shkodër, vendi tradicional i pushkatimeve janë rreshtuar 16 vetë, ndër ta 4 janë klerikët më në zë, të kohës imzot Frano Gjini 62 vjeç, At Mati Prennushi 67 vjeç, dom Nikollë Deda 58 vjeç dhe At Çiprian Nika 48 vjeç. Bashkë me ta edhe 12 të tjerë intelektualë, inxhinierë, avokatë e deputetë dënuar nga gjyqe të tjera për kryengritjen e Postribës. Krismat do të zgjonin gjithë banorët e shtëpivë përreth. Pak metra larg burgut të fretënve në shtëpinë e imzot Frano Gjinit, mbesa e tij e vogël Rozina, do të dëgjonte prej të rritunve fragmente bisedash shoqëruar me ankth. A ja kishin pushkatuar xhaxhanë?