Morata 'ndez' Juventusin, Barcelona 'manita' ndaj Ferencvaros, fitojnë Lazio dhe United

21 Tetor 2020, 13:36

Ndeshja e parë e Juventusit të Andrea Pirlos në Champions ka shkuar më së miri. Bardhezinjtë e kanë nisur me këmbë të mbarë aventurën në grupin G duke mposhtur në Kiev 2-0 vendasit e Dinamos. Ka vendosur dygolëshi i shënuar nga sulmuesi spanjoll Alvaro Morata.

Barcelona iu përgjigj italianëve me një “manita”. Katalanasit likuiduan hungarezët e Ferencvaros me rezultatin 5-1 duke marrë menjëherë kryesimin e grupit G falë golavarazhit. Autorët e golave ishin të ndryshëm duke filluar me Messin e Ansu Fati e për të vijuar me Coutinho, Pedri dhe Dembele. E vetmja notë negative ishte i kartoni i kuq i Pique që humb sfidën me Juventusin. 
13 vite pas herës së fundit në Champions dhe Lazio debuton si në ëndrra. Bardhekaltërit mposhtën 3-1 Dortmundin në ndeshjen e grupit F dhe marrin kryesimin. Immobile ,autogol dhe Akpa-Akpro nderuan ekipin italian ndërsa Haaland nuk u mjaftoi miqve .

Superparaqitje e Strakoshës ndërsa Klub Bryzh bëri surprizën duke fituar 2-1 në Rusi ndaj Zenitit.
Manchester United Parisin e ka si tokën e vet. Ekipi anglez e nisi me fitore fazën e grupeve të Champions duke mposhtur PSG-në 2-1 me golat e Bruno Fernandes dhe Rashford. Lajpcig siguroi një fitore të pastër 2-0 ndaj Basaksehir dhe kryeson grupin H.

Me dy barazime i mbylli ndeshjet e para grupi E. Chelsea dhe Sevilla nuk i bën dëm njëri-tjetrit dhe barazuan pa gola . Po në barazim por në shifrat 1-1 u mbyll dueli tjetër Rennes-Krasnodar./Përgatiti Andi Kapxhiu