Mot i keq në Itali, përmbytje në Milano, Black out në Genova, njëzet mijë vetëtima gjatë natës në rajonin e Liguria-s

21 Tetor 2019, 11:02 | Përditesimi i fundit: 2019-10-21 11:03:00

Një stuhi në zhvillim që prej mbrëmjes së djeshme po shkakton shqetësime të mëdha në Genova dhe Milano, ku pjesa më e madhe e qytetit është përmbytur.

Lumi Seveso është afër daljes nga shtrati duke rrezikuar shumë zona në rrethina.

Për shkak të motit të keq, në rrugë kanë mbetur të bllokuara shumë makina. Ndër shqetësimet e krijuara është dhe ndërprerja e përkohshme e një pjese të metrosë.

Qyteti i Genova-s është në gjendje ‘black out’ që prej mëngjesit, stuhia ka goditur edhe Imperia dhe Savona.

Vetëm gjatë natës, në gjithë rajonin e Ligurias, janë regjistruar më shumë se njëzet mijë vetëtima.

Në Genova dhe Savona shkollat janë mbyllur kurse Mbrojtja Civile ka dhënë Alarmin e Kuq, i cili do të jetë në fuqi deri në orën tre pasdite.