Mustafa: Bashkëqeverisje me Vjosa Osmanin kryeministre! Kurti: Nëse nuk bëjmë koalicion me LDK shkojmë prapë në zgjedhje

8 Tetor 2019, 22:43

Partitë opozitare të cilat morën shumicën e votave nga zgjedhjet e Kosovës mund të shkojnë drejt një koalicioni qeverisës, por me kushtet e vendosura para nisjes së zgjedhjeve. Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i LDK-së, Isa Mustafa shprehet se një nga këto ditë, bashkë me kandidaten e partisë së tij Vjosa Osmani do të takohen me kreun e Vetëvendosjes, partisë që mori më shumë vota nga zgjedhjet, për të parë mundësinë e bashkëqeverisjes.

Por Mustafa thotë se bisedimet me Kurtin do të vazhdojnë aty ku ishn para fillimit të procesit zgjedhor, me qëllim respektimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë të lirë, por edhe interesin e dy partive.

Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq.
Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave.
Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së. IM",
 shkruan Isa Mustafa.

Ndërsa Albin Kurti ka thënë se nuk ka mundësi të një koalicioni paszgjedhor pa LDK-në. Sipas tij, koalicioni qeverisës duhet të bëhet mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të kundërtën duhet të shkohet në zgjedhje sërish.

“Jo, nuk ekziston opsion tjetër. Nuk mund të zëvendësojmë LDK-në tash me PAN-in. Unë do të filloj bisedimet me LDK-në, të bazohemi në rezultatin zgjedhor e të merremi vesh përfundimisht. Sepse po të mos merremi vesh, do të shkojmë në zgjedhje prapë. Marrja e mandatit nga ne do të ishte dhuna më e madhe e vullnetit të popullit. Në kampin e PAN-it kanë fantazi të dhunshme duke tentuar të bëjnë diçka me LDK-në”, u shpreh Kurti.

Dy partitë opozitare nuk shkuan në zgjedhje në koalicion për shkak të LDK nuk pranoi kushtin e Vetëvendosjes, që partia që do të rrëmbejë më shumë vota gjatë zgjedhjeve, do të marrë edhe postin e kryeministrit. Por kjo nuk u pranua nga LDK e cila deklaroi se do të vijojë t'i qëndrojë kandidaturës së saj Vjosa Osmani, me të cilën shkoi edhe në zgjedhje.