'Na ngacmonte nënën dhe motrën', arrestohen 2 vëllezërit për vrasjen e taksistit në Fushë-Prezë

6 Gusht 2020, 13:10

TIRANË- Dy vëllezërit Shera janë autorët e vrasjes së taksistit Addulla Budlla pasditen e 3 gushtit në Fushë- Prezë. Report Tv mëson se kanë qenë dy vëllezërit Saimir dhe Arsil Shera që kanë qëlluar për vdekje taksistin, teksa referuar dëshmisë së tyre, shkak është bërë se 71-vjeçari i kishte ngacmuar nënën dhe motrën e tyre. Mësohet se autorët dhe viktima ishin konfliktuar më herët për të njëjtën motiv, ngjarje e cila përfundoi me një të vrarë. 

7 plumba të dala nga automatiku i morën jetën taksistit që punonte në të zezë, me autorët që u kujdesën për të mos lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes duke mos lënë asnjë gëzhojë. Mjeti "Volkswagen" të cilin përdorën autorët për vrasjen e taksistit është gjetur dhe është sekuestruar nga ana e uniformave blu. Policia njofton se vëllai i madh, Saimir Shera është një person me precedent të mëparshëm penal, i dënuar më herët. 71-vjeçari baba i 3 djemve dhe 1 vajze u ekzekutua pasditen e 3 gushtit në zonën e Fushë Prezës në aksin që lidhet me Aeroportin e Rinasit. Abdulla Budlla ishte një person pa precedent të mëparshëm penal, teksa njihej nga fqinjët në fshatin Ahmetaq si një njeri i qetë dhe shembullor.