Nard Ndoka në Report Tv: Nëse marr më shumë vota se Basha, bëhem kryeministër

24 Nëntor 2020, 18:29 | Përditesimi i fundit: 2020-11-24 18:31:19

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka shprehet i hapur për të marrë çdo post politik që i ofrohet nëse opozita e bashkuar fiton zgjedhjet e 25 prillit. Në një intervistë për Report Tv, ai deklaroi se është i kënaqur vetëm me kontributin e tij pavarësisht nëse do të ketë një post të rëndësishëm.

Me batutë, Ndoka u shpreh se edhe nëse merr më shumë vota se Lulzim Basha do të ishte i gatshëm që të merrte postin e kryeministrit. I pyetur në lidhje me futjen në garë të Jozefina Topallit, Ndoka u shpreh se nuk e konsideron atë një aktor politik dhe se nuk ka se çfarë të ofrojë më.

Unë e kam të vendosur. Do kandidoj në Shkodër. Nuk e tradhëtoj vendin tim. Ne presim 25 prillin. Unë kam shkuar shumë herë në Shkodër. Edhe largimi nga parlamenti na ka afruar më shumë me qytetarët tanë. Nuk e shoh si aktore politike. Mesa di unë nuk do kandidojë në Shkodër. Unë kam dëshirë ta shoh se sa do jetë e zonja për të marrë vota. Nuk pres ndonjë politikë të re nga zonja Topalli. Nuk besoj se është shumë e rëndësishme vendi ku do të më rendisin në Shkodër. I rëndësishëm është angazhimi ynë me qytetarët. Ne jemi politikanë që kemi një lloj mbështetje dhe një lloj epërsie me të rinjtë që futen.

Unë jap kontribut edhe pa qenë fare në listë. Ne kemi kryeministrin Rama që duhet të largohet sa më parë, renditja jonë nuk ka rëndësi. Basha ka treguar një lloj përgjegjshëmrie për vendin. Lënia e mandateve ka qenë më i duhuri. Nuk pati asnjë lloj pasoje. Ne përfaqësojmë qytetarët tanë. Ne kemi përfaqësuar zërin e tyre, opozita ka funksionuar si institucion. Unë kam një dëshirë të madhe për të dhënë një kontribut. Kjo është dëshira ime më e madhe. Unë nuk e refuzoj asnjë post politik. Edhe nëse marr më shumë vota se Lulzim Basha unë do bëhem kryeministër" - tha Ndoka.