Ndryshojnë kufijtë për zonat e mbrojtura

18 Nëntor 2019, 15:01

TIRANE - Të ndryshojnë kufijtë e zonave të mbrojtura në territorin shqiptar! Propozimi është bërë nga Agjencia kombëtare e Zonave të Mbrojtura, pas një studimi që kjo e fundit ka bërë në të gjithë territorin e vendit rezultatet e të cilit do të paraqiten në fund të 2019. Sipas këtij studimi, propozohen kufijtë e ri, çka do të sjellë reduktim por dhe rritje të  sipërfaqes së zonave të mbrojtura.

Më konkretisht, do të reduktohet një pjesë e sipërfaqes të zonës së mbrojtur në Velipojë, në parkun Divjakë-Karavasta dhe Kune-Vaini.Drejtori i AKZM, Zamir Dedej, thotë se sipërfaqet që propozohen për tu hequr nga zonat e mbrojtura janë tokë bujqësore dhe tokë urbane.

“Në rezultatet që kanë bërë ekspertët na rezulton që 95% e tokës që ne duam të heqim nga zonat e mbrojtura, është tokë bujqësore që nuk e menaxhojmë ne, dhe tokë urbane pra zonë urbane. Të marrim një shembull, Ohri Pogradeci, peizazhi i mbrojtur i liqenit të Ohrit përfshin qytetin e Pogradecit, ne të zonës së mbrojtur nuk është se bëjmë ndonjë detyrim karshi për ta menaxhuar”-u shpreh drejtori i AKZM

Ndryshime do të ketë dhe në zonën e Alpeve ku kërkohet të përfshihet si zonë e mbrojtur edhe Vermoshi. Gjithashtu është propozuar që të futet në zonë të mbrojtur dhe Lumi i Shalës i cili është kthyer në një atraksion turistik.

“Shtimi kryesor ndodh në zonën e Alpeve, ku kërkohet të përfshihet Vermoshi si pjesë e re e zonës ekzistuese Valbonë-Theth-lumi i Gashit, do bashkohet dhe Vermoshi. Ka dhe një propozim të avancuar për pjesën e Shalës, për lumin Shala që është bërë një nga atraksionet e fundit turistike dhe ka një vlerë natyrore kombëtare shumë domethënëse. Është parë pra zona e Monellës si një zonë e re, është parë edhe zona e Vjosës”-tha Dedej