Në elitë pas 9 vitesh? Flet Artan Mërgjyshi, trajneri i fundit që drejtoi Dinamon në Superligë

4 Maj 2021, 15:28

Artan Mërgjyshi është trajneri i fundit që ka drejtuar Dinamon në Superligë.

‘Kampionati ishte shumë e vështirë për vetë faktin se aty ndodhën të gjitha peripecitë kundër Dinamos. Ishte periudha kur iu morën ambientet e stërvitjes, nuk kishte mbështetje financiare, nuk kishte organikë dhe ishte një problematic shumë e madhe. Unë kam drejtuar nga janari në vazhdim atë sezon kur ishte me -2 pikë për shkak të një dënimi nga FSHF,’-tha Mërgjyshi.

Aktualisht nëndetësja është shumë pranë rikthimit pas 9 vitesh në kategorinë e parë. Në fundjavë mjafton të fitojë kundër Vorës për të siguruar matematikisht ngjitjen, por Mërgjyshi rikthehet edhe njëherë pas duke rikujtuar dhimbjen që shkaktoi rënia atë sezon.

‘Ndeshja me Vllazninë na dha vetëm goditjen përfundimtare, por deri në atë kohë jemi mbajtur me sforco dhe sakrifica të mëdha. Ato djem në atë kohë kanë bërë një kampionat të jashtëzakonshëm, por dhimbjen më të madhe e përjetuan se një Dinamo nga -2 pikë shkuam në 18 pikë dhe arritëm që të futeshim në lojë, por ishte thuajse e pamundur sepse kishim shumë faktorë kundër. Më kryesorja ishte se nuk kishim as mbështetje financiare, por edhe morale nga ana e presidencës që e lëshoi Dinamon,’-shprehet Mërgjyshi.

Dinamos i duhet shumë pak, por ndërkohë Egnatia është ekipi i parë që ka siguruar ngjitjen në Superligë sezonin e ardhshëm.