Në hyrje dhe në dalje, fluks i madh udhëtarësh në doganën e Kapshticës e të Qafë-Thanës

13 Gusht 2019, 22:23

Ditën e sotme në pikat kufitare në Jug-Lindje të vendit ka patur një fluks të madh automjetesh. Fluksi më i madh i automjeteve dhe udhëtarëve ka qenë në pikën kufitare të Kapshticës. Përgjatë 24-orëve të fundit në pikën kufitare të Kapshticës kanë hyrë 5751 persona ndërsa kanë dalë nga vendi ynë 4705 shqiptarë. Për sa i përket doganës së Qafë-Thanës kanë hyrë 5638 persona ndërsa kanë dalë 2731 të tjerë, shqiptarë dhe të huaj.

Në këto dy dogana po punohet me sportele të shtuar për të shmangur radhët e gjata, megjithatë situata duket e rënduar.

Kujtojmë se ditën e djeshme një situatë akoma më e rënduar u krijua në doganën e Morinës ku që nga mëngjesi u krijuan radhë kilometrike. Dje në Shqipëri kanë hyrë 22145 persona me  4058 mjete.