Në kërkim të jetës së re, shumë larg Thumanës! 'Na çoni edhe në një ferr, vetëm në ato pallate jo! S'na i mban të shkojmë...Të mbysim dëmijët me duart tona'?!

7 Dhjetor 2019, 12:25 | Përditesimi i fundit: 2019-12-07 14:54:19

Thumana nuk po mundet të gjejë qetësinë dhe sigurinë për të jetuar në shtëpitë që i rezistuan me dëme të vogla tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit që la 51 viktima, 24 prej të cilëve nën rrënojat e pallateve të shembura në Thumanën e varfër të Fushë-Krujës.

Pallati ku u shua familja Greku dhe shumë të tjerë, ishte shpallur i pabanueshëm nga tërmeti i një viti më parë, në korrik. Trandafile Greku, kunata e Pëllumb Grekut që humbi jetën nën rrënoja me bashkëshoren Çeliken dhe djalin, Saimirin, thotë se njëri nga djemtë e kunatit emigroi në Francë nga frikë për të qëndruar në atë pallat dhe nga pamundësia për të marrë një banesë me qira diku tjetër. Thumana i kujton tragjedinë e familjes së saj, të kunatit, që thotë se e quante vëlla, arsye për të cilën nuk do të jetojë më në atë zonë. Më çoni edhe në një ferr thotë ajo e përlotur - vetëm të jetë larg atyre pallateve që u shkatërruan në 30 sekonda.Burri im ka humbur vëllain, nusen e vëllait dhe djalin e vëllait. Ato pallate para dy vjetësh thanë që janë të banueshme. Sa mori arratinë djali i kunatit tim dhe iku në Francë se nuk ishte i zoti të paguante qiranë, dhe i thanë që është i banueshëm. Kur erdhi puna pallati u shemb.  Si mund të hymë ne në atë pallat. Unë nuk e shoh dot Thumanën jo më të hyj në atë pallat që është i pabanueshëm, në ato rrënoja. Kur kam parë unë vëllain e burrit se e quaj si vëlla, unë nuk e dua jetën aty më çoni në një ferr të jetë sa më larg vetëm në atë pallat jo, nuk jetohet. U shemb. Kur na merrnin në telefon nga Franca nuk ishim të zot të jepnim përgjigje. Djali i vëllait iku se i thanë dil me qira, Doriani me Danielën vet i katërt, dhe ikën atje, dhe nuk gjeti dot as të atin as të ëmën as vëllain që e kishte si dritën e syve, krah të djathtë. Edhe tani na thonë pallat i banueshëm dy katësh, por si mund të futem unë në atë pallat", shprehet për Report Tv, kunata e Pëllumb Grekut.

Disa prej pallateve dhe banesave tashmë mbajnë shiritin e verdhë, të vendosur nga grupet inspektuese të ekspertëve shqiptarë e të huaj, që do të thotë se ato janë të riparueshme dhe nuk duhen shembur. Por banorët, të strehuar nga shteti në Shëngjin, nuk gjejnë dot guximin të futen brenda tyre.

"Pallati im dhe një tjetër në qendër mendohet që do të restaurohen. Shtëpia është një katastrofë totale. Kemi shpëtuar vetëm ca rroba që nuk konsiderohen fare. Ne nuk na i mban të shkojnë në shtëpi, shqip ta them. Dua të rindërtohen pallatet tona. Çdo gjë që duam është të kemi një strehë, sikur edhe në tokë të flemë, ama duam shtëpinë tonë" , shprehet një banore.

"Pallati im dhe një tjetër në qendër mendohet që do të restaurohen. Shtëpia është një katastrofë totale. Kemi shpëtuar vetëm ca rroba që nuk konsiderohen fare. Ne nuk na i mban të shkojnë në shtëpi, shqip ta them. Dua të rindërtohen pallatet tona. Çdo gjë që duam është të kemi një strehë, sikur edhe në tokë të flemë, ama duam shtëpinë tonë" , shprehet një banore.

Çdo gjë ka lëviz, edhe një tërmet tjetër duam ne, u shfarosëm fare si 24 viktimat në Thumanë", thotë e frikësuar një tjetër banore e Thumanës.

Në qendër të Thumanës janë edhe dy pallate të cilët banorët i quajnë "Kullat binjake". Edhe pse janë shpallur të banueshëm nga raportet paraprake, banorët thotë se ndihen të rrezikuar.

"Kjo do ndodhë akoma edhe me dy pallatet që janë akoma si dy kullat binjake në qendër të Thumanës", thotë një zonjë.Disa shtëpi janë bërë me të verdha dhe thonë do të riparohen. Ne frikë kemi të hyjmë se çfarë na ka parë syri në ato rrënoja, veç o zot", shprehet një tjetër banore.

Ai pallat që në '50-ën pa rënë tërmet është bërë për tu shembur. Kemi shumë frikë, nuk futemi dot aty", tregon për Report Tv një banore.

Edhe pse pallatet e tyre nuk u shembën, banorët kanë marrë dëmtime, siç është kjo zonjë, e cila në mesin e errësirës që u krijua me ikjen e energjisë elektrike gjatë tërmetit, ende nuk e di se çfarë i ka rënë në kokë. Dëshmi e atij tërmeti të frikshëm është fashoja që mban afër syrit.

"U vrava tek pallati, nuk e pashë çfarë më ra, se ishte në terr", thotë ajo.Në Shëngjin janë akomoduar në disa hotele qindra banor të Thumanës dhe Kurbinit, të cilët mbetën pa një çati mbi kokë nga tërmeti i 26 nëntorit, apo me shtëpi të dëmtuara. Me shpresën se këtë radhë shteti do të jetë në këmbë dhe do të hedhë sytë nga siguria e jetës së tyre, banorët presin të ndërtojnë të ardhmen e tyre larg Thumanës.