Në tre vjetorin e Reformës inaugurohet “Poli i Drejtësisë”, godina që grupon institucionet e reja

22 Korrik, 19:22 | Përditesimi i fundit: 2019-07-22 22:14:14

TIRANE-Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin garancinë se do të qëndrojnë në krah të Shqipërisë deri në ngritjen e SPAK-ut dhe vendosjen para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve. Kështu deklaroi e ngarkuara me punë e Amerikës në Shqipëri, Leyla Moses-One gjatë inaugurimit të shtëpisë së re të drejtësisë. Diplomatja tha se gjykata Kushtetuese dhe e Lartë janë bllokuar pasi ishin të kapura nga korrupsioni.

"Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve" tha Leyla Moses-One.

Shefja e ONM-s Genoveva Ruiz Calavera u shpreh se reforma në drejtësi do i hapë dyert Shqipërisë për integrimin në BE. Për ministren e Drejtësisë, qeveria e ka bërë detyrën e saj, ndërsa tashmë pret rezultate. Por, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi kërkoi besim dhe durim, pasi theksoi se fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë dhe se frytet po vijnë.

Godina te ish-Fusha e Aviacionit ku do të vendosen administrata e KLP-së dhe KLGJ-së do të quhet "Poli i Drejtësisë". Inaugurimi u bë sot, në 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë shumë personalitete. Në fund të ceremonisë u betuan 16 magjistratë të rinj, nga të cilët të pranishmit kërkuan një drejtësi me modelin ri.

Kategori të tjera