Negociatat me BE-në, historianët: Vendim 50 % gjeopolitik, 50 % shkak bilanci i munguar nga Shqipëria

25 Tetor 2019, 17:09 | Përditesimi i fundit: 2019-10-25 17:13:46

Tema “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-‘26” bëri bashkë sot në Tiranë, historianë edhe studiues nga Shqipëria edhe Kosova, për të diskutuar rreth saj. Teksa risollën në kujtesë edhe njëherë marrëdhëniet e vendit tonë me ndërkombëtarët, studiuesi Afrim Krasniqi, historiani Beqir Meta edhe studiuesi shqiptar nga Kosova Bujar Dugolli ndalen edhe tek Jo-ja, që mori Shqipëria për hapjen e negociatave me BE-n.

“Shqipëria ka një histori shumë të pasur me ndikimet e ndërkombëtareve, sidomos në vendimmarrjet politike. Nëse ne shikojmë historinë e shtetit, periudha e vetme që nuk patëm praninë e ndërkombëtarëve është ’76-‘90, që ndoshta është periudha më e vështirë edhe dramatike për historinë e Shqipërisë. Shqipëria duke qenë një vend i vogël është gjithmonë në kërkim të një mbijetese gjeopolitike, edhe në kërkim të aleatëve. Problemi i madh është që ne gjithmonë kemi rend pas fuqisë së madhe të kohës. Kjo rendje nuk na ka lejuar ndonjëherë, që ne të krijojmë identitet politik, pavarësi edhe politikanë që të vendosin interesat publike edhe kombëtare mbi ato ndërkombëtare”, shprehet Krasniqi, teksa shron se nëse hapen dokumentet e sotme të Shqipërisë shikojmë se është një politikë krejt ndryshe nga ajo që njohin qytetarët.

“Sot Shqipëria e ka jetike që të ketë më shumë Europë, edhe më shumë prani të ndërkombëtarëve. Nëse SHBA dhe BE nuk do të ishin aktive, ky do të ishte lajm i keq për brezat e rinj, Shqipërinë edhe interesat që ka Shqipëria në interesat afatgjatë”, shprehet studiuesi Afrim Krasniqi.

Ndërsa, Jo-n e Bashkimit Europian, e cilëson një proces që nuk varet vetëm nga ne, por edhe një vendim gjeopolitik, Krasniqi shton se nuk duhet që të vazhdojmë të mëshirohemi nga shtetet e tjera.

“Unë mendoj se është çështje procesi edhe nuk lidhet tërësisht me ne, sa lidhet edhe me një vendim tjetër gjeopolitik. Në fakt, Shqipëria nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, por po pret një dhuratë, pasi shumicën e proceseve integruese i ka pritur si dhuratë. Nëse bëjmë detyrat tona, që janë kushtet gjermane, atëherë ne do t’i shërbenim shumë edhe qytetarëve, edhe do ishte më e lehtë për shtetet që na përkrahin për të lobuar për ne. Por ne shkojmë me idenë e mëshirës, me idenë që nëse vendet ndryshojnë mendje edhe mbahet premtimi i famshëm i Samitit të Selanikut për një perspektivë të rajonit”, thotë Krasniqi, i cili në këtë këndvështrim mendon se Shqipëria ishte poshtë Maqedonisë së Veriut, edhe i duhet të bëjë shumë deri në Samitin e ardhshëm.

    No videos found.