Nëse nuk dini ku të shkoni këtë fundjavë... Peza, fshati shumë pranë kryeqytetit

17 Gusht 2019, 12:48

Nëse nuk dini ku të shkoni këtë fundjavë, kryebashkiaku Veliaj ju sugjeron një vend shumë pranë Tiranës. Është Peza, një mrekulli e natyrës, ku mund të kalohet një fundjavë fantastike me familjen. Peza, vetëm pak kilometra nga kryeqyteti, lëndinat, kodrat dhe qetësia që të mungojnë gjatë pushimeve në bregdet, mund të shijohen shumë pranë Tiranës.

Pikat kryesore që mund të vizitoni në Pezë janë, Kalaja e Dorzit, Parku i Pezës, ku mund të shijoni pamjen e këtij oazi fantastik të natyrës së fshatrave të Tiranës, vendi ku është mbajtur Konferenca e Pezës, Teqeja e fshatit, Liqeni i Fjollës, që shumë pak njerëz i dinë. Edhe moti i freskët i dy ditëve të fundit  favorizon shijimin e  natyrës fantastike të Pezës këtë fundjavë.

“Çfarë plani ke këtë fundjavë? Merr familjen dhe miqtë e shkoni në Pezë, në këtë oaz fantastik të natyrës së fshatrave të Tiranës”, shkruan Veliaj teksa poston edhe një video me pamjet e bukurive të zonës.