Nesër afati i fundit i listave, Yuri Kim mesazh të fortë: Të shohim nëse partitë kanë kuptuar mesazhin e SHBA dhe sa janë të përkushtuar për integrimin në BE

7 Mars 2021, 22:52

TIRANË- Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka dhënë një mesazh të fortë politikës, 24 orë para dorëzimit të listave me kandidatët për deputetë të partive politike në KQZ. Pas thirrje të vazhdueshme për kandidatë të pastër në lista dhe takimeve të veçanta që ka zhvilluar me liderët kryesorë të partive në vend, Yuri Kim shprehet se do të shoh nesër nëse udhëheqësit e Shqipërisë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE në bazë të kandidatëve që kanë zgjedhur për të përfaqësuar popullin shqiptar në zgjedhjet e 25 prillit.

Kim shkruan se SHBA ka qenë shumë e qartë në lidhje kërkesën e saj për kandidatë të pastër, që nuk kanë shkelur ligjet shqiptarë dhe që nuk janë pjesë e listës së zezë së DASH. Diplomatja amerikane thekson se nesër SHBA do të kuptojë nëse udhëheqësit e partive do të mund të marrin vendime të vështira për një demokraci të vërtet duke treguar lidership, duke i paralajmëruar se nëse nuk e tregojnë atëherë SHBA “do t'i bëjë udhëheqësit e partive të përgjegjshëm”.