New York, Asambleja e OKB diskuton sot për klimën

23 Shtator 2019, 09:53

E diela ishte pa makina edhe në Kryeqytetin e institucioneve europiane. Brukseli i ka rritur pritshmëritë në prag të Samitit të Kombeve të Bashkuara që fillon këtë të hënë, si dhe përurimit të Komisionit të ri Evropian, shumë i ndjeshëm për çështjet mjedisore.

"Ne pretendojmë se kemi dërguar një mesazh nga Kryeqyteti Europian deri në New York, dhe shpresojmë se politikanët tanë do të jenë në lartësi të ambicieve tona”- thotë një prej organizatorëve ambjentalistë

Larry Moffet ka krijuar një lëvizje të quajtur ‘E dashur Ursula’, lëvizje e cila kërkon të bëj presion mbi Komisionin Europian.

“Presidentja e Komisionit ka bërë shumë premtime mbi klimën, por për ne ato janë të paqarta. Ne kërkojmë garanci’.

Lëvizjet e qytetarëve të mbarë botës, duket se janë të pamjaftueshme për ti dhënë zgjidhje krizës së klimës dhe shpresa e fundit e tyre janë politikanët.

Ndërkohë në Pallatin e Qelqtë të OKB, prej ditës së djeshme ndodhet edhe simboli i protestave në mbrojtje të klimës, Greta Thunberg.

Suedezja, e cila kishte në krah edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u prit me ovacione nga të pranishmit.

Misioni i 16 vjeçares ishte i qartë: Miliona njerëz në të gjithë botën kanë demonstruar këto ditë duke kërkuar veprime konkrete në favor të klimës. Ne jemi unitar dhe do të jemi të pandalshëm".

Të Premten, në New York, Greta Thunberg ishte në krye të manifestimit të organizuar në mbrojtje të klimës, një ngjarje që bashkoi gjithë planetin. Manifestimet e të rinjve nisën në Australi, kaluan nëpër kryeqytetet e vendeve europiane dhe kulmuan në SHBA.

Sot në samitin e klimës, rreth 60 përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës, do të tentojnë të ringjallin marrëveshjen e përgjumur të Parisit mbi klimën.