Ngrihet njësia kërkimore për nanoteknologjinë, Arben Merkoçi: Do t’i shërbejë zhvillimit të shkencave në Shqipëri

23 Janar 2020, 16:29

Është krijuar zyrtarisht pranë Akademisë së Shkencave Njësia kërkimore-shkencore e nanoteknologjisë dhe nanoshkencës, ndryshe e quajtur NANOalb. Gjatë një uorkshopi të mbajtur nga vet drejtuesi i kësaj njësie, profesor Arben Merkoçi, të pranishmit u njohën me qëllimet e kësaj dijeje shkencore, por edhe me aplikimet e saj në fusha të ndryshme, që nga diagnostifikimi i sëmundjeve, monitorimi i ndotësve të mjedisit, tek energjia, apo edhe në transferime teknologjike e industriale

 “Nanoteknologjia është teknologjia që merret me dimensione shumë të vogla, që shkojnë në një të biliontën e metrit. Bëhet fjalë për dimensione të vogla, dhe shikohet mundësia se çfarë mund të bëhet me këto materiale, çfarë mund të përfitohet prej tyre. Bashkimi i këtyre materialeve ka një rëndësi shumë të madhe në mjedis, në mjekësi, në diagnostifikimin dhe shërimin e sëmundjeve, për të realizuar një kontroll të detajuar të medikamenteve, në qeliza apo në organe të tjera të trupit. Përdoret edhe në fusha të tjera, si për shembull tek energjia rrit efikasitetin e baterive, përdoret në aplikime të ndryshme për sigurinë ushqimore etj. Këto janë me rëndësi jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe për Shqipërinë”, shprehet profesor Merkoçi.