Niada Saliasi: E vështirë të jetosh me rrogë aktori në Shqipëri, duhet patjetër statusi i artistit

22 Shkurt 2019, 14:24 | Përditesimi i fundit: 2019-02-25 09:34:24

Jetesa është shumë e vështirë për aktorët në Shqipëri, pasi shumë gjërat nuk funksionojnë siç duhet. I këtij mendimi është aktorja Niada Saliasi, e cila megjithë vështirësitë, ndjehet me fat që ka zgjedhur profesionin që do. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV për të folur mbi shfaqjen “Gusht, portret familjar” ku është pjesë e kastit, Saliasi tregoi edhe se si nisi rrugëtimin e saj si aktore si dhe mendimin e prindërve për këtë zgjedhje.

Babi ka qenë pak më i tërhequr përsa i përket botës së artit, sepse është edhe pak natyrë më me këmbë në tokë dhe thoshte që sidomos në Shqipëri është shumë vështirë të bësh art, sepse të jesh aktore, sot të kanë marrë dhe titullin, thonë aktor politik, ty të kanë nxjerrë jashtë loje. Si duket këtë e ka paraprirë babai im dhe nuk ka qenë plotësisht dakord. Babi ka të drejtë. Unë jam me fat sepse përveç pozicionit tim si aktore në TK, kam patur edhe projekte të tjera ekstra që kam mundur ta plotësoj anën time ekonomike pa rënduar tek prindërit. Kurse ka njerëz të tjerë që jetojnë me projekte, dhe të bësh një projekt në vit dhe të jetosh me x lekë, e ta përpjestosh atë në gjithë vitin është shumë e vështirë të ekzistosh. Është shumë e vështirë të jetohet me rrogë aktori, duhet të bësh 2 punë.

Niada Saliasi, aktore

E pyetur ndërkaq nëse politikanët shqiptarë janë aktorë më të mirë se vetë aktorët, Saliasi u përgjigj: Si aktorë po, sepse ata bëjnë aktorin në jetë kurse ne e bëjmë në skenë.